Rusia zgjat ndalimin e importit të ushqimeve – E prekur edhe Shqipëria. Afati caktohet në 2020
Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të zgjasë me 18 muaj të tjerë ndalimin e importeve të ushqimeve nga shtetet Perëndimore. Këto masa ndëshkuese nga Kremlini vijnë si kundërpërgjigje e vendimit të BE për të zgjatur sanksionet ndëshkuese mbi Rusinë për veprimet në Ukrainë.
Tanimë, ndalimi i ushqimit do të jetë në fuqi deri më 31 Dhjetor 2019 dhe krahas vendeve të BE prek edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën, Norvegjinë, SHBA, Kanadanë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
Masat për produktet agroushqimore u morën nga Rusia në Gusht të 2014-ës. Në territorin rus ndalohet të hyjnë mishi, produktet e mishit, qumështi, bylmetet, peshku, produktet e peshkut, frutat dhe perimet. Më vonë, nga lista u hoqën disa produkte të mishit, ushqimet për fëmijë dhe disa produkte deti. Ndërsa në 2016 në listën e produkteve të cilat nuk mund të eksportohen në Rusi nga këto vende, u shtua edhe kripa.
Në Shqipëri, ndalimi i eksporteve të ushqimeve drejt Rusisë ka krijuar një disbalancë të madhe tregtare mes dy vendeve, ku Shqipëria importoi 11.7 miliardë lekë mallra në vit, por eksportoi vetëm 89 milionë lekë mallra.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.