Sa fonde marrin bashkitë nga buxheti 2022? – Rreth 400 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin 2021
Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion afro 26.8 miliardë lekë për pushtetin vendor në 2022-shin, me një rritje prej 400 milionë lekësh në raport me këtë vit, që do të ndahen tek 61 bashkitë sipas një formule të përcaktuar. Rritja është bërë me qëllim mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore për përballimin e shpenzimeve të Covid-19.
Fondi është transfertë e pakushtëzuar që subvencionon të ardhurat e munguara të bashkive dhe investimet, ndërkohë që një pjesë e përbën transferta e pakushtëzuar sektoriale që jepet për konviktet e arsimit parauniversitar, personelin mësimor, stafin mbështetës, arsimin parauniversitar, mbrojtjen sociale, administrimin e pyjeve, rrugët, ujitjen dhe kullimin dhe klubet shumësportëshe.
Kështu, nisur nga këto kritere, sipas draftbuxhetit 2022, 5 bashkitë që marrin fondet më të larta, janë Tirana, me rreth 3,8 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 1.3 miliardë lekë, më pas renditet Elbasani me rreth 1.2 miliardë lekë, Fieri dhe Shkodra me nga rreth 1 miliardë lekë respektivisht. Ndërsa bashkitë që kanë marrë më pak fonde janë edhe ato më të voglat, si Pustec, Libohovë, Konispol, Këlcyrë, dhe Dropull.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2022 janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.3% më shumë se akti normativ i vitit 2021. Këto shpenzime për vitin 2022 zënë 3.2% të PBB-së.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.