Sa janë shanset e “hard” Brexit? – Johnson: 1 në 1 milion. BE dhe parlamenti, në humor të mirë
Boris Johnson, kandidati kryesor për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë, tha se shanset që Britania të dalë nga Bashkimi Europian pa marrëveshje janë “1 në 1 milionë”, pavarësisht se ka premtuar daljen me çdo kusht në Tetor. Gara për të zëvendësuar Theresa May ka marrë vrull këtë javë, ndërkohë që ministri i Jashtëm Jeremy Hunt, ka kritikuar vazhdimisht Johnson. Pas më shumë se 3 vitesh që Britania votoi për të dalë nga BE, Brexit po mbizotëron garën për liderin e ri të Partisë Konservatore dhe Kryeministrin e ardhshëm.
Fituesi do të përballet me një betejë në parlament, ku marrëveshja e Theresa May u refuzua tre herë. Këtë javë, Johnson tha se shanset e daljes pa marrëveshje janë të pakta, për shkak se liderët e kontinentit dhe parlamentit britanik kanë ndryshuar humor dhe kërkojnë një marrëveshje të rishikuar. “Është e rëndësishme që të përgatitemi për daljen pa marrëveshje, nëse kjo na jep marrëveshjen që ne duam. Megjithatë nuk mendoj që do shkojmë deri aty. Shanset janë 1 në 1 milionë”, tha Johnson. Komentet e tij vijnë vetëm 1 ditë pasi premtoi daljen nga BE në fund të Tetorit me çdo kusht, çka shtoi shqetësimet për “hard Brexit”.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.