Sa punësohen pas trajnimeve? – Raporti/14.5 persona ndjekin kurse, vetëm 1 integrohet në treg
Nëse fondet e punësimit janë rritur dhe numri i personave që ndjekin një kurs në qendrat publike të formimit profesional është dyfishuar ndër vite, e njëjta gjë nuk ndodh me punësimin e këtyre personave që marrin një certifikatë trajnimi.
Referuar të dhënave zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, vihet re se numri maksimal i personave të punësuar pas një kursi trajnimi regjistrohet në rreth 1 mijë. Konkretisht gjatë vitit 2016, nga 16.860 persona që janë certifikuar nga këto qendra, janë punësuar vetëm 1007 prej tyre.
Pra raporti për këtë vit është 16 të trajnuar dhe 1 i punësuar. Duke bërë një krahasim ndër vite, nga viti 2004 dhe aktualisht, duket se numri mesatar të punësuarve ka qenë rreth 700 persona në vit.
Viti që ka pasur numrin më të ulët të të punësuarve pas një kursi trajnimi, ka qenë viti 2013, me vetëm 222 persona, ndërkohë që numri i të trajnuarve ka qenë 8884 persona, e përkthyer në një raport 40 me 1.
Ndërsa në total, për periudhën 2004-2017 regjistrohen 140.410 persona të certifikuar nga qendrat publike të trajnimit profesionale dhe janë punësuar 9621 persona, me një raport 14.5 të trajnuar në 1 të punësuar.
Kryeministri Edi Rama ka vendosur si objektiv për zyrat e punësimit 25 mijë ndërmjetësime deri në fund të vitit ndërkohë që paguan rreth 5 mijë lekë për ata që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike dhe po trajnohen për një zanat.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.