Sa shpenzojmë për të varfrit? – Banka Botërore: Shteti shqiptar, ndihma në më pak se 2.5% të PBB
Banka Botërore ka publikuar një raport të ri, me titull “Të mbrosh të gjithë”, e që fokusin e ka tërësisht te tregu i punës. Kur bëhet fjalë për shpenzimet shtetërore për të ndihmuar të varfrit dhe ulur pabarazinë, Banka Botërore liston mbi 80 ekonomi të ndryshme të botës për nga norma e shpenzimit në raport me PBB.
Shteti shqiptar shpenzon rreth 2.2% të PBB për këtë arsye, e që kanalizohet nëpërmjet ndihmës ekonomike për familjet në nevojë për të paguar energjinë elektrike si dhe asistencën sociale apo atë të papunësisë. Të dyja në total nuk shkojnë përtej 2.5% të PBB, thotë Banka Botërore, ndërkohë që vetëm subvencionimi për energjinë elektrike është më pak se 1% e prodhimit kombëtar. Pjesa e mbetur kanalizohet në formën e asistencës sociale apo atë mbi papunësinë. Në analizë janë marrë një sërë ekonomish në zhvillim, dhe Shqipëria figuron krah gjysmës më të mirë të renditjes, paçka se krahasuar me vendet kryesore të listës, diferenca është e ndjeshme.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia janë në të njëjtat nivele me ne, ndërkohë që Bosnje Hercegovina është e para në rajon dhe ndër të parat e listës, me shpenzimet shtetërore për të ulur pabarazinë dhe varfërinë në diçka më shumë se 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, thotë Banka Botërore.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.