Sa udhëtojnë shqiptarët? Shifrat e INSTAT për 2019, kryeqytetasit më “bredharakët”
Nga ‘SCAN INTELLIGENCE UNIT’
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe të analizuara nga “Scan Intelligence Unit”, në lidhje me anketën e Turizmit për Pushime dhe Udhëtime gjatë vitit 2019, vërehen disa të dhëna të rëndësishme, në lidhje me destinacionet dhe shkaqet e udhëtimeve në vendin tonë.
Gjatë vitit 2019, janë kryer më shumë se 5.3 milionë udhëtime nga rezidentët në Shqipëri, me moshë mbi 15 vjeç. Po ta krahasojmë me të dhënat e një viti më parë, dallojmë se numri i udhëtimeve është rritur me më shumë se 810 mijë udhëtime brenda një viti.
Udhëtimet sipas qëllimit
Viti 2019, përsa i përket udhëtimeve, dominohet nga “Udhëtime për Qëllime Personale në Shqipëri”, ku 77.3% e udhëtimeve bëhet për këtë arsye. Më pas vjen zëri i “Udhëtime Personale Jashtë Shqipërisë”, i cili ka peshën 17.8%. Dy zërat e fundit janë, “Udhëtime për Qëllime Biznesi në Shqipëri” dhe “Udhëtime Biznesi Jashtë Shqipërisë”, të cilat përbëjnë respektivisht 3.3% dhe 1.6% të totalit të udhëtimeve gjatë vitit 2019.
Udhëtimet sipas destinacionit
Destinacionet më të preferuara për shqiptarët brenda vendit, për qëllime personale apo biznesi, gjatë vitit 2019, kanë qenë: Tirana me 28.5% të totalit të udhëtimeve, Korça (12.3%), Vlora (11.6%) dhe Durrësi (10.3%).
Nëse thellohemi më tepër, në bazë tremujorëshe, dallojmë më qartë panoramën e udhëtimeve. Gjatë tremujorit të parë të vitit, pjesa më e madhe e lëvizjeve janë zhvilluar në Korçë (42%) dhe në Vlorë (30%). Në periudhën pasardhëse, vendin e parë, për nga numri i udhëtimeve, e zë Tirana dhe Durrësi me përqindje të njëjtë prej 23 % secili. Në tremujorshin e tretë, të vitit 2019, udhëtimet janë të fokusuar drejt zonave bredgetare, ku Vlora arrin rekord me 48% të totalit të udhëtimeve, e pasuar nga Durrësi me 25 %. Në pjesën e fundit të vitit, qarqet më të frekuentuara janë Korça dhe Tirana, përkatësisht me 35% dhe 34% të totalit të numrit të udhëtimeve.
Nga ana tjetër, rezulton se, kryqytetasit janë ata që udhëtojnë më shumë, me dicka më shumë se 30% të totalit të udhëtimeve të të gjithë republikës. Madje, kjo shifër është rritur ndjeshëm karahsuar me vitin e kaluar, kur fiksohej në rreth 25%.
Udhëtimet njëditore
Nëse analizojmë numrin e udhëtimeve njëditore, pavarësisht qëllimit të tyre, për qëllime personale apo për qëllime biznesi, dallojmë se ato përbëjnë numrin më të lartë të udhëtimeve. Në total, gjatë 2019, për qëllime personale janë bërë rreth 36.3 milionë udhëtime një ditore. Nga totali i këtyre udhëtimeve 97% e tyre bëhen brenda vendit dhe pjesa tjetër realizohen jashtë. Nëse studiojmë numrin e udhëtimeve që zhvillohen për arsye biznesi, kemi nje total prej 14.7 milionë të tilla, ku udhëtimet brenda kufijve zënë 92.5% të totalit.
Udhëtimet sipas akomodimit
Shumica e personave që kanë udhëtuar gjatë vitit 2019, janë akomoduar pranë të të afërmeve të tyre. Përkatësisht, 66.4% akomodohen tek të afërmit dhe 17.4% akomodohen në hotel. Ndërsa një pjesë më e vogël, zgjedhin akomodimin pranë ambieteve me qira apo shtëpive të pushimit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.