Sa vonon drejtësia? 4 muaj për zgjidhjen e martesës – Kohëzgjatjet mesatare sipas llojeve të çështjeve
Pavarësisht ligjeve dhe procedurave të mirëpërcaktuara, ndonjëherë një çështje gjyqësore kërkon më tepër kohë për t’u zgjidhur se sa një tjetër. Kjo mund të jetë në varësi të shorteve për datat e seancave, ngarkesës së gjykatave, mosparaqitjes së palëve, apo çdo faktori tjetër që kërkon kohë.
Nga depozitimi i padisë, deri tek dhënia e vendimit kohëzgjatja e çështjeve në Shqipëri varion nga 13 ditë për emergjenca si lëshimi i menjëhershëm i urdhrit të mbrojtjes, e deri në mbi 1 vit për çështje të komplikuara si padia për pjesëtim sendi.
Në bazë të të dhënave të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, SCAN ka pasqyruar në grafikun e mëposhtëm kohët përkatëse sipas llojit të çështjeve.
Nëse do të bënim një lloj grupimi të natyrës së çështjeve, rezulton se kërkojnë më pak kohë deri në dhënien e vendimit ato që kanë të bëjnë me veprime juridike, si lëshimi i autorizimit, shfuqizimi i një akti administrativ, padia për kundërshtim veprimi përmbarimor, apo pavlefshmëri e titullit ekzekutiv.
Vërtetimi i vjetërsisë në punë, nga ana tjetër, për shkak se kërkon edhe dokumentacionin që merret nga arkivat përkatëse, kërkon më tepër kohë se çështjet e mësipërme.
Çështjet e natyrës familjare, pra divorcet dhe kujdestaria kërkojnë 3-4 muaj kohë. Por pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore kërkon mesatarisht dyfishin e kësaj kohe, ose 7-8 muaj.
Në fakt, çështjet e pronësisë mbi sendet apo pronat duket se kërkojnë të paktën 8 muaj në çdo rast, që nga kërkimi i sendit, shkaktimi i dëmit, padia mbi pronësinë, etj.
Ndërkohë, çështjet që enden më tepër në dyert e gjykatës së shkallës së parë janë ato që kanë të bëjnë me kontratat e sipërmarrjes, kontratat e qirasë e të shitjes, me nga 9-11 muaj.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.