Samiti i BE mbi fondin e shpëtimit. Lagarde rikujton recesionin, bën thirrje për dakordësi mes vendeve
Shefja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, paralajmëroi liderët e BE se ekonomitë e tyre po i drejtohen një rënieje të madhe si pasojë e koronavirusit dhe i bëri thirrje që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur për planin e stimujve.
Lagarde tha në një video-konferencë se efektet e plota të recesionit në Europë nuk janë shfaqur ende në tregun e punës dhe papunësia në Eurozonë mund të rritet në 10%. Mesazhi i saj erdhi ndërkohë që 27 liderët e BE ishin ulur përballë ekranit të kompjuterit të tyre për të diskutuar mbi rimëkëmbjen e bllokut. Me mbi 100,000 vdekje nga Covid-19, BE duhet të shfaqë solidaritet pas disa muajve të debateve që kanë cënuar besimin publik dhe përkeqësuar pozitën botërore të bllokut. Në konferencë u diskutua buxheti 2021-2027 i Bashkimit Europian prej rreth 1.1 trilionë euro dhe propozimi i Komisionit Europain për të marrë hua 750 miliardë euro nga tregjet, para që do përdoret për të rimëkëmbur ekonomitë e goditura rëndë nga koronavirusi, kryesisht Italinë dhe Spanjën. Zyrtarët kanë thënë se marrëveshja nuk pritet të arrihet përpara muajit Korrik.
Kryetari i samitit që është presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se kanë një “përgjegjësi të përbashkët për të mbajtur”. Që përpara pandemisë ka pasur një përplasje mes vendeve “kursimtare” të Veriut dhe vendeve jugore me borxh të lartë, mbi buxhetin afat-gjatë. Tashmë, ndodhen në konflikte mbi përmasën dhe kushtet e fondit të rimëkëmbjes, të cilin komisioni ka sugjeruar që të ndahet në 2/3 grante dhe 1/3, kredi.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.