Samiti i BERZH-it në Londër – Kosova do të prezantojë 39 projekte, me vlerë 600 mln euro
Kosova do të prezantohet me 39 projekte në Samitin Ekonomik të organizuar nga BERZH-i, i cili do të mbahet të hënën në Londër. 14 prej projekteve i përkasin sektorin privat, ndërsa shuma në total e projekteve kap vlerën e afro 600 milionë eurove.
Detajet i bëri publike në një konferencë për media kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, së bashku me koordinatorin rajonal nga Zyra e Kryeministrit, Gazmend Abrashi.
Gërxhalliu theksoi se këtë herë Kosova po paraqitet në samit me projekte konkrete, ndërsa bëri thirrje që ekonomia në Kosovë të trajtohet me prioritet.
“Çka e bën të veçantë nga këndvështrimi i Kosovës është fakti që për herë të parë Kosova është përgatitur që të ketë projekte konkrete. Totali i vlerës që do të tentohet të argumentohet është afro 600 milionë euro. Ky samit po ndodh në një moment ku Kosova nuk po mund të lirohet nga axhenda politike e cila po bllokon aspektin e zhvillimit ekonomik. Është koha kur duhet të kuptojmë që mbi interesin politik e partiak të është shteti“.
Nga ana e tij, koordinatori nacional, Gazmend Abrashi, tha se projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në këtë samit janë të fokusuara në infrastrukturë dhe energji të ripërtëritshme.
“Të gjitha këto janë me prioritet, e kisha veçuar projektin e unazës së brendshme të kryeqytetit, projekt ky që kapë shumën 63 milion euro vetëm për punimet në infrastrukturë. Në samitin e Londrës do të marrin pjesë 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, ku do të bëjmë prezantimin e projekteve nacionale. Me projekte të prezantuara kanë marrë pjesë 18 komuna”.
Abrashi tregoi se Kosova do të lobojë edhe për dy projekte me interes nacional të cilat janë: Projekti i gazsjellësit (TAP) dhe projekti për ndërlidhjen hekurudhore me Shqipërinë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.