Samsung prezanton S9 – Fokusohet te komunikimi vizual në një kohë të skepticizmit ndaj inovacionit
Gjiganti korean i teknologjisë, Samsung, prezantoi serinë e re të produktit kryesor Galaxy S, ku i dha përparësi aplikacioneve vizuale për mediat sociale, me qëllim tërheqjen e konsumatorëve e rinj, për t’i bërë ballë ngadalësimit të tregut. Samsung e prezantoi aparatin S9 në Barcelonë, duke tërhequr mijëra gazetarë për të parë mënyrën se si prodhuesi më i madh i telefonave mund të krijojë inovacion në një kategori ku shumë lojtarë të mëdhenj po konkurrojnë ashpër.
DJ Koh, presidenti i firmës koreane, tha se funksioni më i rëndësishëm i një telefoni në ditët e sotme është “komunikimi vizual”. Galaxy S9 përmban përmirësim të kamerës, një mjet vokal të komanduar nëpërmjet inteligjencës artificiale dhe funksione të mediave sociale që janë më praktike se në produktet e vjetra. Karakteristika të reja përfshijnë funksionin “super-slow motion” të kamerës me kapacitetin për të xhiruar në 960 fps, gjë që kthen një event që zgjat 0.2 sekonda në një xhirim normal prej 6 sekondash. Kjo e fundit kombinohet me detektimin automatik të lëvizjes.
Shërbimi Bixby lejon tashmë përdoruesit e S9 që të drejtojnë kamerat drejt një shenje apo shkrimi në gjuhë të huaj, për ta përkthyer në mënyrë automatike. Ndër të tjera përfshihet “AR Emoji”, që ofron mundësinë e krijimit të një versioni dixhital të animuar të fytyrës së përdoruesit. Dy versionet e Galaxy S9 kanë ekrane në 15.8 cm dhe 14.7 cm dhe do të dalin në shitje më 16 Mars në pjesën më të madhe të vendeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.