Sanksionet e fundit ndaj Koresë – Regjimi i izoluar i quan një “akt lufte” që kërcënon paqen dhe stabilitetin
Sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut përbëjnë një “akt lufte” dhe një bllokadë të plotë ekonomike, deklaron ministria e jashtme e regjimit të izoluar duke kërcënuar ndëshkimin e atyre që mbështetën këtë masë.
Këshilli i Sigurisë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara caktoi në mënyrë unanime sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, për testimin e fundit të raketës balistike, duke synuar limitin e aksesit ndaj naftës dhe të ardhurave nga punonjësit jashtë vendit.
Sanksionet do të ndalojnë thuajse 90% të importeve të naftës së rafinuar, në një tavan prej 500,000 fuçi në vit dhe në një ndryshim të minutës së fundit, u kërkua rikthimi në atdhe i shtetasve koreanë që punojnë jashtë vendit brenda 24 muajve.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të tmerruara nga fuqia bërthamore.
“Ne e quajmë këtë rezolutë si një shkelje të rëndë ndaj sovranitetit tonë, si një akt lufte që prish ekuilibrin e paqes dhe stabilitetit në gadishull”, thuhej në deklaratë. Lideri i regjimit të izoluar Kim Jong Un, ka deklaruar se pas testimit të fundit bërthamor, të gjithë Shtetet e Bashkuara ndodhen brenda rrezes së goditjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.