Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë/ Ndërsa firmat e huaja dixhitale largohen, ofruesit vendas po shtohen!
Kompanitë vendase ruse të teknologjisë, të udhëhequra nga subjekte të kontrolluara ose të lidhura me gjigantin shtetëror të gazit Gazprom, po i kundërpërgjigjen bllokadës dhe eksodit të firmave të huaja të internetit.
Rusia ka kufizuar aksesin në Twitter dhe platformat e Meta në Facebook dhe Instagram që nga dërgimi i mijëra trupave në Ukrainë më 24 shkurt, pasi mosmarrëveshja e gjatë me kompanitë e mëdha të teknologjisë përshkallëzohet në një betejë për të kontrolluar informacionin.
Eksodi dixhital i provokuar nga sanksionet perëndimore, ka hapur derën për lojtarët vendas, me një kompani lokale, e cila drejton faqen më të njohur të mediave sociale në vend, VKontakte. Të enjten kjo kompani publikoi një udhëzues për bizneset që kërkojnë të migrojnë larg platformave të tjera.
Për vite të tëra të konsideruara si përgjigja e Rusisë ndaj Facebook-ut, VKontakte ka mesatarisht më shumë se 50 milionë përdorues aktivë ditorë dhe arrin 80% të audiencës mujore online të Rusisë, tha kompania.
Në këtë mënyrë, përdoruesit e Facebook në Rusi kanë rënë në 7.5 milionë që nga viti i kaluar. Më shumë se 585,000 pronarë të rinj biznesi krijuan komunitetet e tyre në platformë në mars, tha VKontakte, nga sallonet e flokëve te dyqanet e rrobave.
VKontakte ka vendosur rekorde të reja për aktivitetin e përdoruesve që kur Rusia filloi atë që e quan një “operacion special” për çmilitarizimin e fqinjit të saj, Ukrainës, me një rritje prej 11% në vëllimet e përmbajtjes në platformën e saj nga 24 shkurt deri më 24 mars.
Vëllimi i përmbajtjes në gjuhën ruse të publikuar në Twitter, Facebook dhe Instagram ra përkatësisht 5%, 16% dhe 30% gjatë kësaj periudhe. Vkontakte, e cila fiton para përmes reklamave, komisioneve nga zhvilluesit e aplikacioneve dhe pagesave të përdoruesve për abonimet dhe pagesat e njëhershme, kontribuoi pak më shumë se një të pestën e 125.8 miliardë rublave (1.5 miliardë dollarë) të të ardhurave të kompanisë vitin e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.