Schaeuble president i Bundestagut? Sugjerojnë konservatorët, posti aktual rrezikohet nga zgjedhjet
Një zyrtar i lartë gjerman tha se Ministri i Financave Wolfgang Schaeuble do të ishte perfekt në pozicionin e presidentit të parlamentit, duke rritur mundësinë e ndryshimit të rolit për personin të lidhur gjithnjë me masat shtrënguese në Eurozonë.
Schaeuble ka kontrolluar Ministrinë e Financave në Gjermani që prej vitit 2009, por rezultati i zgjedhjeve federale ditën e Djelë ka shtuar dyshimet mbi mbajtjen e vendit të punës për të.
Konservatorët e Angela Merkel përbëjnë ende bllokun më të madh në parlamentin gjerman dhe pritet të kërkojnë një koalicion me Demokratët e Lirë pro-biznesit dhe të gjelbrit.
Partia Liberal-Demokrate ka sinjalizuar se pëlqen Ministrinë e Financave.
“Nëse Angela Merkel dhe Schaeuble bien dakord, ky i fundit do të përbënte një kandidat ideal për postin e presidentit të Bundestagut”, tha Guenther Oettinger, komisioneri i buxhetit i Bashkimit Europian.
Schaeuble, i cili ka refuzuar për të diskutuar mbi të ardhmen e tij pas zgjedhjeve, është një figurë e urryer nga Greqia dhe pjesë të tjera të Europës Jugore, për këmbënguljen mbi rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve në periudha të recesionit ekonomik, në këmbim të kredive të shpëtimit të Eurozonës.
Megjithatë, 75-vjeçari ka respekt të gjerë në Gjermani, për shërbimin e tij në financat e vendit. Ai ka marrë gjithashtu pëlqimin e Merkel gjatë krizës së borxhit të Eurozonës që gati shkatërroi bllokun e valutës së përbashkët.
Presidenti aktual i Bundestagut, Norbert Lammert i Unionit Kristian Demokrat të Merkel, nuk pritet të rizgjidhet. Nën rregullat e ndarjes së fuqive, presidenti i Bundetagut nuk mund të mbajë njëkohësisht një post ministror
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.