Scholz: Gjermania mund t’i japë fund importeve ruse të naftës brenda vitit!
Gjermania mund t’i japë fund importeve të naftës ruse këtë vit, tha të premten kancelari Olaf Scholz, duke sinjalizuar urgjencën që e shtyn ekonominë më të madhe të Europës të heqë dorë nga energjia nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës. Scholz po i përgjigjej pyetjes së një gazetari nëse ndjente një ndjenjë turpi që vendet e BE-së po i paguanin Rusisë miliarda euro për karburantet fosile.
Bashkimi Europian miratoi këtë javë sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë ndalimin e importeve të qymyrit duke filluar nga gushti. Gjermania ka intensifikuar përpjekjet për të reduktuar ekspozimin e saj ndaj importeve ruse të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës fqinje më 24 shkurt.
Moska e quan ofensivën e saj një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar fqinjin e saj. Ukraina dhe mbështetësit perëndimorë e quajnë këtë një pretekst për një pushtim të paprovokuar. Nafta ruse tani përbën 25% të importeve gjermane, nga 35% para pushtimit, dhe importet e gazit janë ulur në 40% nga 55%. Importet ruse të qymyrit u ulën në 25% nga 50% para pushtimit.
Ndalimi i importeve të gazit rus është më i ashpër për Gjermaninë, e cila në tremujorin e parë mori 40% të dërgesave nga Rusia. Gjermania dëshiron të ulë pjesën e gazit rus në 24% deri në këtë verë. Por mund të duhet deri në verën e vitit 2024 që ekonomia më e madhe e Europës t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus.
Instituti ekonomik DIW tha në një studim të botuar të premten se Gjermania mund të jetë në gjendje të sigurojë furnizime të mjaftueshme me gaz për dimrin e ardhshëm pa ndonjë import nga Rusia përmes një kombinimi të furnizuesve alternativë dhe masave drastike të kursimit të energjisë.
Studimi tha se Norvegjia dhe Holanda mund të mbushin një pjesë të boshllëkut të lënë nga ndalimi i importeve të gazit rus dhe më shumë furnizime mund të sigurohen përmes dërgesave të LNG në terminalet në Belgjikë, Holandë dhe Francë. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.