Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, betohen deputetët, zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët
Ka nisur punimet legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës. Seanca e hapjes u drejtua nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka së bashku e gjithashtu nga Fjolla Ujkani deputetja më e re, të dy nga partia Vetëvendosje. Z. Koka përshëndeti fillimisht trupin diplomatik, deputetët dhe qytetarët e Kosovës.
Pika e parë e rendit të ditës ishte formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kourumit dhe mandateve.
Kryesuesi i Komisionit u caktua nga rradhët e LVV, Albulena Haxhiu. Si anëtarë nga LDK u caktua Armend Zemaj, nga PD Ganimete Musliu, kurse subjektet e tjera caktuan si anëtarë Rasim Selmanaj, Sllavko Simiç, Albulena Bala Halimi, Rasim Demiri, Fidan Zhëllta, Veton Berisha, Emilia Rexhepi, Ethem Arifi, Elbet Krasniqi, Adem Hoxha dhe Albert Kinovi.
Kuvendi, ku të pranishëm ishin 111 deputetë, më pas votoi komisionin e përkohshëm për çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe verifikimin e mandateve.
Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28, Partia Demokratike 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.
Pikë e fundit e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryetarit dhe tre nënkryetarëve të Kuvendit.
LDK-ja në shenjën e parë të mirëbesimit ka dhënë miratimin së bashku me votat e Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur në krye të Kuvendit, Glauk Konjofca i propozuar nga kandidati për kryeministër Albin Kurti. Ai mori 75 vota nga të pranishmit.
Ndërkohë Arbërie Nagavci, Kujtim Shala e Memli Krasniqi kanë marrë 104 vota për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit.
Para mediave ka folur gjithashtu edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kryeministër i dorëhequr. Ai rikonfirmoi se nuk do të jetë deputet, por i pranishëm është vetëm për t’i shoqëruar kolegët e tij. Ai u shpreh se nga sot e tutje Vetëvendosja ka përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve qeveritare.
Kujtojmë se LDK dhe LVV-ja vijnë në seancën e parë pa një marrëveshje qeverisëse, ku ngërçi kryesor mes të dyja palëve duket se është përzgjedhja e kandidatit për president, të cilin partia e Isa Mustafës e kërkon me ngulm, ndërsa Albin Kurti kërkon Ministrinë e Brendshme, të cilën LDK-ja nuk është e gatshme ta ofrojë.
Geri Kolgega/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.