SEC refuzon Bitcoin – “Tregjet për valutën digjitale janë të parregulluar”
Komisioni i bursave dhe letrave me vlerë në Shtetet e Bashkuara, ka refuzuar kërkesën për një fond të listuar në bursë që ndjek performancën e valutës dixhitale Bitcoin.
Investitorë si Cameron dhe Tyler Winklevoss, të cilët zotëronin më shumë se 1% të sasisë totale të Bitcoin në qarkullim në vitin 2013, janë përpjekur që prej atëherë të bindin Komisionin e bursave dhe Letrave me Vlerë që të aprovojë një fond për valutën dixhitale në treg.
Çmimi i Bitcoin ra me 18% menjëherë pas refuzimit, duke u rimëkëmbur më vonë.
Spekulimi i investitorëve se Agjencia do ta pranonte kërkesën, gjë që do të rriste blerjen e valutës digjitale në treg, e çoi çmimin e një njësie Bitcoin në 1,300 dollarë këtë muaj, vlerë më e lartë se një onz ar.
Bitcoin është një valutë virtuale që mund të përdoret për të transferuar paratë në të gjithë botën në mënyrë të shpejtë dhe deri diku anonime, pa patur nevojën e një autoriteti qendror.
“Bazuar në historikun, Komisioni gjykon se tregjet për valutën digjitale janë të parregulluar. Bitcoin është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe me kalimin e kohës, tregje të rregulluara mirë, të lidhura me valutën, mund të zhvillohen“, deklaron Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.