Segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës – Aeroporti i Rinasit, së shpejti çelet gara për projektin
Së shpejti do të çelet gara për segmentin e parë modern hekurudhor mes Tiranës – Durrësit dhe Aeroportit të Rinasit. Kështu është shprehur kryeministri Rama gjatë një konference për mediat ku foli për zhvillimet në Samitin e Triestes, ku ndër të tjera ka përmendur edhe një herë projektet që qeveria do t’i kushtojë vëmendje gjatë këtij mandati.
“Së shpejti do të çelet gara për segmentin e parë modern hekurudhor, Tiranë- Durrës dhe Aeroporti i Rinasit. Në kuadër të implementimit të të gjithë axhendës së ndërlidhshmërisë ose konektivitetit është avancuar me financimin e projektit të fizibilitetit për “Korridorin Blu”, i cili është projekt madhor infrastrukture, ku do të lidhë jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Jemi në fazën e çuarjes përpara të implementimit të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë”, tha Rama.
Kryeministri gjatë kësaj konference nuk la pa përmendur edhe projektet që do të nisin me programin “1 Miliard” për rindërtim. “Besoj se jemi në drejtimin e duhur, ashtu siç besoj në fillimin e programit 1 miliard për rindërtim, i cili nis në vjeshtë me Rrugën e Arbrit dhe vazhdon me një sërë projektesh të tjera strategjike, si rrugën lidhëse Delvinë-Kardhiq, me projektet qe prekin veriun nga Lezha në Shkodër përmes lidhjes së plazhit të Shëngjinit me Velipojën. Katër vitet e ardhshme do të kemi një transformim të rëndësishëm jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në atë shkollore. Brenda 4 viteve do të përmbushim objektivin për rindërtimin e 100 shkollave të reja, pastaj rindërtimin e shkollave ekzistuese. Jemi në fazën e finalizimit të procedurave për spitalin rajonal të Fierit, i pari spital ekselent, me standarde evropiane nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e menaxhimit. Kemi ambicien për të rritur ekonominë mbi 5 për qind, me qëllim që imapkti i kësaj rritje të ndihet te të gjitha shtresat”, përfundoi kryeministri Rama.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.