Sejko “kurorëzon” bankat – “Industria bankare gëzon shëndet të plotë”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sistemi bankar në vend gëzon shëndet të plotë dhe kjo është një premisë e rëndësishme për rimëkëmbjen e plotë të rritjes ekonomike.
Gjatë fjalës hapëse në Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se arritja më e spikatur është ulja e kredive me probleme në nivelet më të ulëta të gjashtë viteve të fundit. Kjo ulje po ndihmon edhe në një rritje pozitive të kreditimit.
Megjithatë, Guvernatori theksoi se arkitektura e tregut financiar nuk është e plotë. Mungesa e një tregu kapitali dhe e komponentëve të tjerë të lidhur me të e shton presionin mbi sektorin bankar për financimin e ekonomisë.
Një zhvillim i rëndësishëm, së fundmi, është hapja e një burse private, që pritet të fillojë operacionet brenda këtij viti.
Guvernatori Sejko bëri edhe njëherë apel që publiku shqiptar të ruhet nga investimet në bursa përmes brokerave të palicencuar, duke kërkuar që investitorët t’iu besojnë vetëm subjekteve të rregulluara dhe të mbikëqyrura.
Konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë këtë vit ka si temë zhvillimet në tregun bankar dhe infrastrukturën e tregjeve financiare dhe më specifikisht, rolin e strukturës, madhësisë dhe infrastrukturës së tregjeve në zbutjen e rreziqeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.