Sejko në konferencën e BQE – “Ekonomia duhet orientuar drejt inovacionit”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë të enjten në konferencën e 7-të për Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, me temë “Cilësia institucionale dhe konvergjenca ekonomike e qëndrueshme”, organizuar nga Banka Qendrore Evropiane, në Frankfurt, Gjermani. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko tha se në këtë proces, rreziku për vendet e Rajonit tonë është rënia në grackën e nivelit të mesëm të të ardhurave. Shpëtimi nga kjo grackë, sipas Sejkos, qëndron në aftësinë e këtyre ekonomive për t’u orientuar drejt inovacionit.
“Zvogëlimi i kthimeve margjinale mbi punën dhe kapitalin, si dhe një hapësirë e reduktuar për rritjen e produktivitetit të faktorit të përgjithshëm, që vjen kryesisht nga teknologjitë e importuara, ngadalëson rritjen ekonomike dhe rrit rreziqet për të ngecur në “ një grackë të nivelit të mesëm të të ardhurave”. Si rrjedhim, progresi në fazën tjetër të zhvillimit kërkon përmirësim të kapitalit njerëzor, lehtësim dhe inovacion në proceset e prodhimit, përparim të teknologjisë së gjeneruar në vend dhe zgjerim të vlerës së shtuar të eksporteve. E thënë thjesht, vendet e Europës Juglindore duhet ta shndërrojnë veten në ekonomi të orientuara drejt inovacionit. Në këtë pikë, roli institucioneve përcakton gjerësisht sundimin e ligjit, klimën e investimeve dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, cilësinë e arsimit dhe të infrastrukturës, si dhe qasjen në financa”, u shpreh Sejko.
Më specifikisht për Shqipërinë, Guvernatori tha se ekonomia e inovacionit pengohet nga probleme të shumta strukturore, duke filluar nga dobësia e shtetit ligjor e deri te zhvillimi i kufizuar i tregut financiar. Një faktor me ndikim negativ afatgjatë, sipas tij, mund të jetë edhe emigracioni i lartë, që gradualisht i ka shteruar ekonomisë krahun e kualifikuar të punës.
“Ne mbetemi ende pas, për sa i përket zhvillimit institucional, sofistikimit të biznesit, inovacionit, gatishmërisë teknologjike, zhvillimit të tregut financiar, sundimit të ligjit, dhe cilësisë së gjyqësorit. Për të trajtuar këto pengesa, janë ndërmarrë reforma të ndryshme strukturore në administratën publike, në arsim, në sistemin dhe praktikat tatimore, në sistemin e pensioneve dhe në sektorin e energjisë. Vitin e kaluar u miratua një rishikim madhor i sistemit gjyqësor për të trajtuar atë që shihet si një nga pengesat e rritjes ekonomike dhe të konkurrueshmërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka përfituar nga një pozicion pozitiv demografik si rezultat i krahut të saj të punës në moshë të re dhe energjik; nga ana tjetër, ka përjetuar edhe emigrim të vazhdueshëm neto drejt vendeve më të zhvilluara. Ndonëse emigracioni ka siguruar një fluks të qëndrueshëm të dërgesave të emigrantëve dhe ka lehtësuar presionet e tregut të punës, ai gjithashtu i ka shteruar vendit krah pune tejet të kualifikuar. Kjo dukuri mund të ketë pasoja afatgjata në inovacion dhe në progresin e deritanishëm të konvergjencës”, shtoi guvernatori.
Sipas tij, përgjegjësia për të thelluar reformat bie mbi vetë vendet e rajonit tonë, por ai kërkoi një rol aktiv të nga institucionet e BE-së për t’i lehtësuar dhe nxitur këto reforma.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.