Sejko në Kosovë: “Sektori bankar po mbështet rimëkëmbjen ekonomike”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë të martën në konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u përqendrua tek progresi i bërë në sektorin financiar dhe kontributi i dhënë nga aktorët e tregut dhe autoritetet rregullatore në ekonomitë e rajonit. Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, Guvernatori theksoi se sektori bankar paraqitet me parametra të qëndrueshëm duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ai shtoi se masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë mundësuar krijimin e një ambienti favorizues për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm.
Në veçanti, mbajtja e një kursi lehtësues e stimulues të politikës monetare, shtimi i kujdesit në aspektin rregullator e mbikëqyrës dhe krijimi i platformave të përbashkëta të punës, në bashkëpunim me sektorin financiar e institucionet e tjera në vend, kanë dhënë efekte mjaft pozitive.
Të dhënat më të fundit tregojnë se kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare prej 7% dhe raporti i kredive me probleme ka shënuar nivelin 10%.
Guvernatori u ndal edhe në zhvillimet teknologjike të sistemit bankar. Ai u shpreh se konsumatori do të vijojë të tërhiqet nga lehtësitë, zgjedhjet më të shumta dhe kostot më të ulëta që mundëson përdorimi i teknologjisë në shërbimet financiare.
Në këtë drejtim, ai e vlerësoi të domosdoshme që bankat të monitorojnë nga afër zhvillimet, të identifikojnë përparësitë dhe rreziqet që shoqërojnë përdorimin e teknologjisë në shërbimet financiare, si edhe të vlerësojnë ndikimet e mundshme e rrjedhimisht të planifikojnë mënyrën e përshtatjes.
Nga ana e tyre, edhe autoritetet mbikëqyrëse duhet të punojnë për të njëjtin objektiv, për të siguruar një mbikëqyrje të përshtatshme ndaj mundësive dhe sfidave të reja.
Gjatë konferencës u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi në fushën e qeverisjes së korporatave midis pesë autoriteteve mbikëqyrëse bankare të rajonit.
Nëpërmjet këtij memorandumi synohet bashkëpunimi i palëve në fushën e mbikëqyrjes, kërkimit dhe vendimmarrjes, lidhur me treguesit e qeverisjes së korporatave të bankave të rajonit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.