Sejko, në takimet vjetore të FMN dhe BB: “Rimëkëmbja fillon në 2021, inflacioni në objektiv brenda 2022”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e parë të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që për shkak të pandemisë këtë vit po zhvillohen online. Në këtë takim, përveç zyrtarëve të tjerë të Bankës Qendrore, mori pjesë edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. Ndërkohë nga Banka Botërore pjesëmarrës ishin z. Patrizio Pagano, ish-Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë dhe z. Matteo Bugamelli, Drejtor i ri Ekzekutiv në ardhje për Shqipërinë. Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe kjo goditje ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Guvernatori u shpreh se ekonomia shqiptare pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021 dhe inflacioni të kthehet në objektiv brenda vitit 2022. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti dhe këta parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm gjatë gjithë kësaj periudhe.
Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia. Disa nga çështjet e tjera në të cilat u ndalën diskutimet, ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme dhe zhvillimi i sistemit të pagesave. Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan qëndrimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila do të kontribuojë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe kthimin e inflacionit në objektiv.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.