Sejko “predikon” maturi dhe optimizëm – “I kemi të gjitha premisat ta përballojmë krizën me sukses”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të enjten në raportimin vjetor para Kuvendit të Shqipërisë se ekonomia shqiptare i ka të gjitha premisat ta përballojë me sukses goditjen e krizës. Pavarësisht se pasojat për këtë vit do të prekin seriozisht ekonominë shqiptare, duke ulur prodhimin dhe duke rritur papunësinë, Sejko tha se masat e qeverisë dhe ato të Bankës së Shqipërisë i kanë zbutur pjesërisht pasojat negative.
Sejko nënvizoi se tregu financiar ka funksionuar më së miri gjatë muajve të pandemisë, duke iu përgjigjur kërkesës së shtuar të qeverisë për financime dhe duke plotësuar skemat e mbështetjes së biznesit të ofruara nga qeveria.
Banka e Shqipërisë vlerëson se piku i krizës ekonomike është prekur në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa situata do të përmirësohet gradualisht në gjysmën e dytë të vitit. Ekonomia do të pësojë rënie të ndjeshme këtë vit, të shoqëruar me ulje të punësimit dhe pakësim të të ardhurave të familjeve. Rimëkëmbja e ekonomisë pritet të jetë e shpejtë, duke filluar nga viti 2021, por të gjithë skenarët e të ardhmes kanë ende një shkallë të lartë pasigurie, të lidhur me zhvillimet që do të ketë pandemia e Covid-19.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.