Sejko takim me AAB, diskutohet siguria e bankave dhe kreditimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe të bankave tregtare në vend, me qëllim intensifikimin e dialogut mes tyre.
Pjesëmarrësit diskutuan për çështje të lidhura veçanërisht me sigurinë e zhvillimit të aktivitetit bankar dhe mbi aktivitetin financiar, kreditues dhe operacional të sistemit bankar.
Të pranishmit përgëzuan autoritetet për zbardhjen grabitjes së vlerave monetare të bankave. Më tej, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse, për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e tyre.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në çështjen e trajtimit të kredive me probleme, duke vlerësuar se efektet e ndryshimeve ligjore dhe përvoja e fituar nga bankat, do të nxisnin një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të tyre gjatë vitit 2017.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.