Sejko takim me Ambasadorin e Japonisë – Bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime tregtare
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u takua me Ambasadorin e Japonisë në Tiranë, SH.T.Z. Makoto Ito, ku biseduan rreth perspektivave potenciale të bashkëpunimit ekonomik për të ardhmen në fusha si shkëmbimet tregtare, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, infrastruktura, etj.
Guvernatori Sejko u ndal ne performancën pozitive të deritanishme të rritjes ekonomike në vend, e cila parashikohet të vijojë e tillë edhe në të ardhmen.
“Në këtë kontekst, – tha ai – edhe politika monetare lehtësuese e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit”.
Diskutimet dypalëshe u ndalën në zhvillimet e reformave strukturore në vend, ku Guvernatori Sejko theksoi se vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i tyre, mbetet i një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Ambasadori i Japonisë në Tiranë shtoi se Shqipëria si një faktor stabiliteti në rajon kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.