Sejko takim me Drejtorin Rajonal të IFC për Evropën Qendrore dhe Juglindore / Në diskutim zhvillimet makroekonomike dhe përditshmëritë
Guvernatori Gent Sejko ka pritur në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, drejtorin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naïm.
Në krye të bisedës, Guvernatori Sejko falënderoi Naïm për bashkëpunimin, kontributin e dhënë dhe asistencën teknike të vazhdueshme që Korporata Financiare Ndërkombëtare i ka ofruar Bankës së Shqipërisë.
Në vijim të takimit, Guvernatori prezantoi panoramën ekonomike në Shqipëri, reagimin e Bankës së Shqipërisë ndaj situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe sfidat e të ardhmes.
Më tej, përfaqësuesit e Korporatës Financiare Ndërkombëtare shfaqën interes të njihen me zhvillimet makroekonomike, gjatë vitit 2021 dhe pritshmëritë për vitin 2022, në vendin tonë.
Guvernatori u shpreh se pandemia, ashtu si vendet e tjera, e vuri në provë Shqipërinë, lidhur me qëndrueshmërinë ekonomike. Megjithatë falë masave të marra dhe instrumenteve të përdorura në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara nga Banka e Shqipërisë dhe nga Qeveria për të mbështetur veprimtarinë financiare, u arrit të mbahej nën kontroll ndikimi i pandemisë në ekonomi dhe ruajtja e stabilitetit monetar e financiar.
Lidhur me situatën aktuale, Guvernatori u shpreh se ekonomia po vijon të rimëkëmbet gradualisht dhe projeksionet sugjerojnë se parametrat do të vijojnë të stabilizohen gjatë vitit 2022 dhe stimuli monetar do të krijojë premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.
Guvernatori shtoi se rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik kanë luajtur reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese ekonomike.
Drejtori Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Ary Naïm, vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.
Më tej, Naïm nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së vlerësimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike në politikat e përgjithshme të vlerësimit të riskut si nga ana e institucioneve publike ashtu dhe nga sistemi financiar.
Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe Drejtori Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naïm ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin midis tyre kryesisht në fushën e sistemit financiar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.