Sektori Bar-Restoranteve – DPT: Nisim sot me zbatimin e planit për menaxhimin e riskut
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka njoftuar fillimin e zbatimit në nivel kombëtar të një plani për menaxhimin e riskut në sektorin e bar – restoranteve, me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për vetë deklarim korrekt.
Sipas DPT, plani është hartuar me asistencën e ngushtë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të ndjekë në vijimësi edhe zbatimin e tij, duke sjellë për herë te parë në Shqipëri, praktikën tatimore të trajtimit të riskut me metodologji bashkëkohore. Me këtë qasje DPT, ka për qëllim komunikimin e tatimpaguesit e këtij sektori, përfitimet që kanë nga deklarimi i saktë i të dhënave tatimore, për të forcuar tek ata bindjen se ligji është i barabartë për të gjithë.
Sektori në fjalë është përzgjedhur pas vlerësimit analitik të deklarimeve të tyre tatimore, si një kategori me risk në përmbushje, formalizmi i të cilit lidhet ngushtë edhe me sektorë të tjerë, si turizmi, tregtia, shërbimet ,etj. DPT tha se rreth 14,000 tatimpagues të këtij sektori do të nxiten dhe ndihmohen që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si edhe t’i vetë korrigjojnë ato, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.
Tatimpaguesit e këtij sektori në të gjithë vendin, do të vihen në dijeni, secili në mënyrë të personalizuar, mbi treguesit e tyre të deklarimit jo korrekt, duke i ndërgjegjësuar mbi problemet, shkaqet dhe pasojat që sjellin deklarimet e pasakta.
“Qëllimi ynë nuk është të penalizojmë, por të marrim angazhimin e tyre për përmbushje në të ardhmen – një tatimpagues korrekt nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse qëllimshëm zgjedhin të mos jenë, atëherë administrata tatimore do të vijojë me vlerësimet sipas legjislacionit në fuqi”,-tha Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro.
DPT tha se ky proces do të vijojë në mënyrë sistematike, ndërsa do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju për të ndarë ecurinë e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.