Sektori i hidrokarbureve – Pritet një ekip ekspertësh në mbështetje të reformës
Bashkëpunimi dypalësh në fushën e energjisë si dhe siguria energjitike e Shqipërisë dhe rajonit ishin edhe fokusi i i takimit të ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri me zv.ndihmëssekretaren e për Energjinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Sandra Oudkirk.
Duke u ndalur te projekti i Korridorit Jugfor të Gazit me fokus gazsjellësin Trans Adritatik, Oudkirk e cilësoi këtë si një rast suksesi, duke shtuar se Shqipëria di të menaxhojë investime serioze të huaja.
Ndërkohë, gjatë takimit u diskutua edhe mbi ndihmën që do të japë SHBA në sektorin e hidrokarbureve. Në këtë kuadër, pritet të vijnë në Shqipëri një ekip ekspertësh për orientimin e institucioneve shqiptare për një regjim ligjor më bashkëkohor në këtë sektor.
Po ashtu, një tjetër çështje së cilës iu dha rëndësi ishte edhe projekti IAP dhe nevoja për mbështetje nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Oudkirk dukë vënë theksin te mbështetja e administratës amerikane për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, e cilësoi këtë të fundit shtyllë të stabilitetit të rajonit dhe një aleat të çmuar të SHBA-së.
Ndërkohë, Gjiknuri ka vijuar takimet edhe me përfaqësues të lartë të administratës së Tramp. Ministri pritet të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Gazit, ku do të jenë pjesëmarrëse shumë kompani kompani të mëdha globale në fushën e energjisë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.