Sektori industrial në Gjermani – Rikthehet në vrull, rriten porositë jashtë Eurozonës
Industria gjermane është fuqizuar gjatë muajit Maj, nxitur nga kërkesa e jashtme. Pavarësisht të dhënave poshtë projeksioneve, Ministria e Ekonomisë deklaroi se pret që ky sektor të vazhdojë në vrull përgjatë vitit.
Fabrikat kanë regjistruar një rritje me 1% të porosive për muajin Maj, poshtë projeksioneve të analistëve prej 2%.
Ekonomistët thonë se sektori industrial i Gjermanisë është rikthyer në formë dhe se rënia e muajit Prill ishte e përkohshme.
Porositë për mallrat kapitale u përshpejtuan, por fabrikat që prodhojnë mallrat të konsumit dhe të ndërmjetëm, patën një tkurrje të kërkesës.
Të dhënat për muajin Maj treguan se kërkesa e brendshme u tërhoq me 1.9%, ndërsa porositë nga jashtë u rritën me 3.1%.
Porositë jashtë vendeve të Eurozonës u rritën ndjeshëm me 4%. Të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë vijnë pas një sondazhi të fabrikave gjermane, që tregoi se aktiviteti te këto kishte shënuar nivelin më të lartë në 6 vite.
Banka Qendrore e Gjermanisë dhe institucionet kryesore ekonomike kanë rritur vlerësimin për Produktin e Brendshëm Bruto këtë vit edhe tjetrin.
Qeveria mbetet më pak optimizëm, duke projektuar një rritje me 1.5% në 2017-ën dhe 1.6% në viti që vjen. Norma e rritjes për vitin 2016 rezultoi 1.9%, që ishte dhe më e forta në 5 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.