Sektori në përkeqësim – Uji pa të ardhura 65%, deficiti 10 milionë euro
Pavarësisht reformës së iniciuar në vitin 2016 në sektorin ujësjellës-kanalizime, sërish përformanca në këtë sektor është në nivele negative. Referuar të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Ujit, të publikuar në raportin vjetor, treguesit e Performancës së Sektorit të UK për vitin 2017 tregojnë për një tendencë përkeqësimi të gjendjes së tij.
ERRU evidenton se cilësia e shërbimit që i ofrohet konsumatorëve në drejtim të kohës së furnizimit me ujë (mesatarisht 12 orë/ditë), si dhe treguesi i Ujit Pa të Ardhura (65%) krahasuar me vitin 2016 mbeten në vlera të papranueshme.
Norma e Arkëtimit korente (78.84% nga 78.48%) ka një përmirësim të lehte, ndërsa treguesit e performancës financiare të mbulimit të kostove të O&M e ato totale janë përkeqësuar në vlerën rreth 10%.
Ndërsa sipas entit Rregullator të Ujit, paraqitet shqetësues sidomos treguesi i Ujit Pa të Ardhura që vazhdon të jetë në nivele të papranueshme (65%). Kjo tregon së pjesa më e madhe e ujit të prodhuar humbet, për rrjedhojë jo vetëm nuk gjeneron të ardhura, por rrit edhe kostot e shërbimit të furnizimit nga faktori i konsumit të energjisë elektrike.
Këto tregues janë statikë prej më shumë se 6 vitesh, çka tregon se sektori nuk ka pasur asnjë përmirësim. Ndërkohë që një tjetër reformë u ndërmor gjatë 2017-ës në shkallë vendi, e orientuar kryesisht drejt lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm, që është një pjesë e vogël e problematikës së sektorit.
Gjendja financiare e sektorit gjatë vitit 2017 është përkeqësuar në krahasim me vitin 2016, ku në total deficiti i mbulimit të kostove të O&M me të ardhurat për sektorin është rreth 10 milion euro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.