Sekuestrohen mallra dhe 8 kuintalë kafe kontrabandë në Doganën e Shkodrës!
Strukturat e Administratës Doganore në Shkodër kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara nga një subjekt privat.
Sipas informacionit, pranë kësaj dege doganore është paraqitur një mjet i ardhur tranzit nga Dogana e Vlorës, i cili pas kontrollit fizik rezultoi se kishte një sasi të konsiderueshme mallrash me diferencë me deklaratën doganore.
“Gjatë verifikimit të kontrollit fizik rezultoi një sasi prej 820 kg kafe e padeklaruar, me një detyrim doganor të munguar 214 730 lekë, dhe me penalitet në shumën prej 644.190 lekë. Gjithashtu u konstatua edhe një kundravajtje administrative, ku në deklaratën transit të bërë nga subjekti nuk kishin deklaruar mallra të ndryshëm me peshë 1056 kg, ku u penalizua me shumën 3-fish të detyrimit doganor, i cili kap vlerën prej 868.020 lekë” njofton Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.
Struktura e Administratës Doganore deklarojnë se do të vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e detyrave funksionale që kanë me objektivin që tolerancë zero ndaj çdo akti të paligjshëm dhe trafiqeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.