Senati kalon reformën tatimore – Trump pranë fitores, tregjet e kapitalit arrijnë nivele rekord
Republikanët në senat kanë kaluar ndryshimin më të madh të kodit tatimor në SHBA në më shumë se 30 vite, që do të ulë ndjeshëm taksën për korporatat dhe që do të ketë lehtësime për individët gjithashtu.
Trump e përgëzoi vendimin duke e quajtur në një postim në Twitter “reduktimin më të madh tatimor në histori”.
Përpara se të arrijë në zyrën e tij, projektligji duhet të kalojë në Shtëpinë e Përfaqësuesve për votimin final. Më pas, presidenti tha se do të zhvillojë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo do të ulë taksën e korporatave në 21% nga 35%, duke forcuar pozitën e Shteteve të Bashkuara përballë ekonomive të tjera të industrializuara, që kanë një normë mesatare të taksës prej 22.5%.
Reforma ofron gjithashtu lehtësime për tipe të tjera të bizneseve dhe për individët. Sipas Komisionit të Përbashkët mbi Taksimin në Kongres, ndryshimet do të reduktojnë të ardhurat federale me thuajse 1.5 trilionë dollarë në dekadën e ardhshme.
Tregjet e kapitalit në të gjithë botën arritën në nivele rekord dhe interesat e titujve të Thesarit gjithashtu, menjëherë pas lajmërimit.
Deri më tani për vitin, pritshmëritë për reformën tatimore kanë qenë nxitësi kryesor në bursa, me indeksin S&P 500 në SHBA që është rritur me thuajse 20%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.