Serbia e “varur” nga FIAT – Zë 3% të ekonomisë dhe 8% të eksporteve
Fiat Chrysler ka prezantuar modelin e ri të autoveturës Fiat 500L në fabrikën Kragujevac në Serbi, në praninë edhe të kryeministrit të vendit, Alexander Vuçiç. FCA në Serbi është krijuar në vitin 2008 dhe 67% të aksioneve i ka pikërisht grupi italian, ndërkohë që 33% i ka qeveria e Serbisë.
Fabrika në fjalë ndërkohë është çelur në vitin 2012 dhe janë investuar 1.3 miliardë euro deri më tani, ku 850 milionë euro kanë shkuar vetëm për pajisje. FCA eksportoi autovetura për një vlerë prej 1.1 miliardë eurosh në vitin 2016 dhe është eksportuesi më i madh në Serbi. Alexander Vuçiç ndërkohë, gjatë prezantimit të modelit të ri të makinës, deklaroi se qeveria e tij do të luftojë për të rritur eksportet e Fiat drejt tregut rus, dhe shtoi se, për këtë qëllim janë mbyllur dy raunde negociatash teknike.
Fiat në Serbi përkthehet në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 8% të eksporteve, deklaroi ndër të tjera Alexander Vuçiç, duke falenderuar edhe punëtorët e kësaj fabrike. “Ne do të kërkojmë të bëjmë kontrata edhe me qeveri të tjera për të eksportuar produktin”, shtoi Vuçiç.
Ndër të tjera, presidenti serb, deklaroi se, marrëveshja me Fiat që skadon në fund të 2018-ës do të rinovohet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.