Serbia është i vetmi shtet ballkanik që ka më shumë besim tek qeveria e saj se sa te BE – Por çfarë thotë raporti për Shqipërinë
Sipas Anketës më të re të Eurobarometrit, të kryer në qershor të këtij viti dhe të publikuar këtë muaj, Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit kanë më shumë besim në qeverinë kombëtare (41%) sesa në Bashkimin Europian (33%). Në Maqedoninë e Veriut, këto shifra janë 57% për BE dhe 33% për qeverinë kombëtare, në Shqipëri 69% me 40% dhe rezultati në Mal të Zi është 47% me 43%. Sondazhet nuk janë kryer në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Serbia është gjithashtu i vetmi vend i anketuar i Ballkanit Perëndimor me më shumë mosbesim sesa besim në BE, diferenca është e konsiderueshme me rreth 20%. Në vetë BE, besimi mesatar në Bashkim është 44%, ndërsa mosbesimi mesatar është 46%.
Kur bëhet fjalë për imazhin që BE ka në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është përsëri në krye të listës, me 81% të qytetarëve të saj që kanë ose një imazh “shumë pozitiv” ose “mjaft pozitiv” të BE-së, ndërsa për vetëm 3% ky imazh është “mjaft negativ” ose “shumë negativ”. Nga ana tjetër, përqindja e atyre që kanë një imazh pozitiv të BE-së në Serbi është më pak se gjysma e asaj që është në Shqipëri: 37%. Në Mal të Zi, ky raport është 63% në 18% në favor të një imazhi pozitiv, ndërsa Maqedonia e Veriut ka parë një rënie të vogël nga viti i kaluar, raporti është 56% me 17%.
Notat më të ulëta për ekonominë kombëtare në krahasim me qytetarët e BE-së.
Mali i Zi është i vetmi vend i anketuar në të cilin pamja e gjendjes së ekonomisë kombëtare është afër mesatares së BE: 48% e vlerësojnë ekonominë si “të mirë” ndërsa 47% e vlerësojnë atë si “të keqe”. Raporti në BE është pothuajse plotësisht i njëjtë, me 49% të qytetarëve mesatarë të BE-së janë të kënaqur me performancën ekonomike të vendit të tyre, ndërsa 47% jo. Nga ana tjetër, më shumë se 60% e qytetarëve në Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi thonë se ekonomia e vendit të tyre është “e keqe”, ku shifra më e lartë ndodhet në Serbi – 67%.
“Situata ekonomike” dhe “papunësia” janë çështjet më të rëndësishme për qytetarët e rajonit, shpesh shumë më tepër sesa për qytetarët mesatarë të BE-së. Një çështje ku diferenca midis BE dhe BP është gjithashtu mjaft e dukshme është çështja e mjedisit dhe klimës – 20% e qytetarëve të BE i shohin këto tema të rëndësishme, ndërsa përqindja më e lartë në rajon është 7%, dhe ndodhet pikërisht në Shqipëri. (Novinite)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.