Serbia “kopjon” Tiranën – Brenda fundit të vitit zgjidhen administratorët e pallateve
Ashtu si për të gjitha pallatet brenda territorit të Bashkisë Tiranë, edhe në Serbi të gjitha ndërtesat duhet të zgjedhin administratorin e pallatit.
Afati i lënë në Serbi është fundi i muajit Dhjetor, kur procesi i votimit duhet të ketë përfunduar.
Për postin e administratorit mund të kandidojë kushdo që është pronar i një apartamenti në pallat, apo grup pallatesh. Që votimi të quhet i vlefshëm duhet të marrë pjesë të paktën gjysma + 1 e pronarëve të shtëpive. Edhe për të zgjedhur duhet përsëri gjysma + 1 e votave të të pranishmëve.
Por për të votuar, ligji në vendin fqinj lejon edhe votimin në formë të shkruar ose elektronike, në rastet kur pronari i një shtëpie nuk mund të jetë i pranishëm.
Administratorët e zgjedhur gjithashtu mund të bien dakord me pronarët për të mos u paguar, por për të punuar vullnetarisht. Kjo është lënë në dorë të vetë pallat dhe formës së marrëveshjes që do të arrihet. Deri më sot, në Serbi ka qenë praktikë që kryetarët e asamblesë së pronarëve në pallate të vegjël të mos paguheshin, përveçse në rastet kur ndërtesa gjeneronte të ardhura nga dhënia me qira e hapësirave të përbashkëta.
Nëse nuk zgjidhet dot një kujdestar i pallatit, asambleja e pronarëve mund të angazhojë një administrator profesionist, të licencuar nga Dhoma Serbe e Tregtisë. Më pas ky administrator i licencuar negocion me banorët për tarifën mujore.
Edhe në rast se nuk arrihet një marrëveshje me këtë të fundit, qeverisja vendore përcakton një kujdestar me forcë në mënyrë të përkohshme. Administrimi i përkohshëm zgjat vetëm derisa pronarët të bien dakord për të zgjedhur një kujdestar të ri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.