Sesioni i bankave – RBS dhe UBS kalojnë projeksionet, Barclays mbetet prapa
Vëmendja e investitorëve qëndron përsëri te raportimi i kompanive për tremujorin e parë. Gjatë sesionit të fundit për këtë javë, prioritet kanë qenë të dhënat e bankave.
Royal Bank of Scotland rezultoi me një fitim sipër projeksioneve për tremujorin e parë në 259 milionë paund, gjë që çoi aksionet e bankës në rritje me 4%.
Huadhënësi më në fund po tregon progres pas një dekade të ristrukturimeve. Banka tregon fitimin e parë tremujor që prej vitit 2015, dhe shifrat kalojnë me 50 milionë paund projeksionet.
Kreu ekzekutiv Ross Mcewan tha se viti 2017 do të jetë i fundit që banka do të ketë vështirësi, ndërsa përfundon periudhën më të errët të historisë 290 vjeçare.
RBS ka qenë subjekt i shpëtimit gjatë krizës financiare, me një injektim prej 45.5 miliardë paund, që përbën shifrën më të madhe për një bankë europiane. Një çështje që mbetet ende është akuza nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, për shitjen e letrave me vlerë të kolateralizuara gjatë krizës financiare.
Një tjetër gjigant i këtij sektori që ka raportuar ditën e sotme është Kompania zvicerane UBS. Manaxhuesi më i madh në botë i pasurisë raportoi një fitim neto prej 1.3 miliardë franga për tremujorin e parë, në rritje me 79% nga e njëjta periudhë një vit më parë dhe performanca më e mirë që prej krizës financiare.
Fillimi i tkurrjes monetare në botë, performanca e fortë e tregut të aksioneve si dhe optimizmi i investitorëve ka nxitur biznesin e bankës më të madhe në Zvicër.
Raporti i kapitalit bazë kundrejt aktiveve të ponderuara me risk i UBS, u rrit në 14.1% nga 13.8% që ishte në fund të 2016-ës.
Edhe banka britanike, Barclays, raportoi dyfishim të fitimit për tremujorin e parë, por mbeti pas në njësinë e investimeve. Barclays raportoi një fitim përpara taksave në 1.7 miliardë paund, në rritje nga 793 milionë që ishte një vit më parë.
Të ardhurat nga tregtimi i titujve të borxhit ranë me 1% në 889 milionë paund, ndërsa nga tregtimi i titujve të kapitalit, me 10% duke prekur 462 milionë paund. Vlera në treg ra me 4.4% pas raportimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.