Sfidat e kryeqytetit – Tirana, histori suksesi, Veliaj: Problem, shtimi i popullsisë
Krahas Lionit dhe Barcelonës, Tirana është përzgjedhur si histori suksesi në Samitin e Metropoleve Evropiane. Krybashkiaku, Erion Veliaj mori pjesë në këtë forum, ku u diskutua mbi qëllimet dhe sfidat e përbashkëta.
Në fjalën e mbajtur, ai theksoi se kryeqyteti shqiptar gjeneron mbi 45% të PBB-së, ndërkohë që një nga sfidat më të mëdha për qytetin është shtimi i përditshëm i popullsisë dhe nevoja për të ofruar shërbime sociale për qytetarët.
“Mendoj se ka një trend pozitiv; rrugët rurale të periferisë apo zonat peri urbane, të cilave nuk iu kushtohej aspak vëmendje, po përfitojnë përmes planifikimit të një skeme të madhe. Pra, mund të përcaktojmë politika më të mira bujqësore, sistemi ynë i edukimit është më shumë i barabartë, kemi disa përmirësime në të gjithë territorin. Mendoj se çështjet e transportit, të shërbimeve sociale, çështjet e strehimit social që kanë marrë një shtrirje të gjerë, padyshim ishin një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj zhvendosje demografike, e cila nuk përballohet ndryshe”.
Gjatë punimeve të këtij forumi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me drejtues të Pushtetit Lokal nga qytetet kryesore të Europës për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fusha të ndryshme përmes shkëmbimit të praktikave, përvojave dhe projekteve të ndryshme.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.