Sfidat kryesore të biznesit shqiptar – Barometri i Ballkanit 2020: stabiliteti ekonomik, korrupsioni dhe politika
Në anketën e biznesit të përfshirë në “Barometrin e Ballkanit 2020” të publikuar javën e kaluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), biznesi i përgjigjet shumë pyetjeve, por mbi të gjitha radhit edhe sfidat kryesore të të bërit biznes në vendin tonë. Me një pikëzim nga 1 në 4, ku 1-shi i referohet problemit më të rëndë dhe 4-a, atij më të lehtë, sipërmarrja shqiptare radhit sfidat kryesore. Të dhënat nuk përfshijnë pandeminë pasi anketa është zhvilluar në rreth 6 muaj më parë.
Në vend të parë, sipërmarrja shqiptare radhit si problemin më madhor, stabilitetin makroekonomik, dhe në vend të dytë, korrupsionin. Më pas, me pikë të barabarta në vendin e tretë ndjekin: paqendrueshmëria politike si dhe krimi i organizuar. Normat e taksave dhe ekonomia informale janë gjithashtu shqetësime madhore për sipërmarrjen shqiptare. Pjesë të listës së shqetësimeve shohim edhe krizën e emigrantëve, diskriminimin apo imazhin e vendit.
Për të gjithë faktorët e sipërpërmendur për të cilët biznesi që operon në vendin tonë shprehet se janë një pengesë për të bërit biznes, Shqipëria ofron një panoramë tjetër nga mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Vetëm në 6 ndër 19 indikatorë vendi ynë është mbi mesataren rajonale.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.