“Japraka” e politikanit satirik serb
Luka Maksimović, i njohur me emrin Ljubisa Prelatacevic është një komedian serb dhe aktivist politik, në krye të partisë satirike “Nuk e keni provuar japrakën”.
Lideri i partisë, i cili ngjan më shumë si një Kastro Zizo i ri se si një politikan, nisi më 4 Mars fushatën e tij për president të Serbisë me identitetin e tij humoristik dhe me sloganin “Jepi fort”.
Ai arriti të mblidhte 10 mijë firmat e nevojshme për t’u zyrtarizuar si kandidaturë dhe tani me daljen e rezultateve të votimit, duket se ka arritur të fitojë 9.5% të votave, duke u renditur i treti.
Mbiemri Preletacevic është një batutë humoristike, në serbisht fletushka, përdoret për një politikan që ndërron partitë politike për përfitime personale. Krahas këtij mbiemri ai përdor edhe nofkën “Beli” që do të thotë i bardhi.
Djali 25-vjeçar, është student komunikimi, i bërë i famshëm gjatë zgjedhjeve të 2016-ës, kur së bashku me një grup komedianësh nga Mladenovaci krijuan një video promocionale parodi të një lideri imagjinar të quajtur Ljubisa. Videoja u bë virale në YouTube dhe grupi i ndjekësve të tyre u zgjerua.
Partia komike kështu u zotua të bënte premtime elektorale plot mashtrime dhe shpresa të rreme. Qendra e fushatës së tyre ishte hapja e një departamenti eutanazie në spitalet lokale për pensionistët, kështu që vdekja e tyre do të lehtësonte shpenzimet e buxhetit të shtetit.
SPN nuk ishte regjistruar si parti politike, ndaj ata u regjistruan si një listë e pavarur në zgjedhjet e Bashkisë së Mladenovacit. Si surpriza më e madhe, ata fituan 20% të votave dhe 12 ndenjëse, duke u bërë grupi i dytë politik më i madh në këshillin bashkiak të këtij qyteti.
Ndonëse Maksimovic nuk kandidoi seriozisht në asnjë nga zgjedhjet, ai dhe partia e tij kanë dhënë një mesazh të fuqishëm: shumë njerëz janë lodhur nga politika e vjetër dhe satira është mënyra e tyre për të protestuar.
“Banalizimi i plotë dhe përfundimtar i jetës publike dhe sistemit politik”, nuk është thjesht një slogan për të ardhmen, por një pohim për të tashmen në Serbi.
“Nuk e keni provuar japrakën” nuk është e para parti në Ballkan që ndjek këtë linjë humoristike. Partia e Fortë dhe Kryetari Legjendar janë një tjetër fenomen në Kosovë, të cilët arritën të fitojnë një ndenjëse në Këshillin e Prishtinës.
Në Europë, Partia Pirate ka degë në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Suedi duke arritur të marrë në sondazhe edhe mbi 10% të votave.
Partitë satirike në vetvete nuk mund të japin një zgjidhje për problemet që shqetësojnë popullin, pasi nuk përbëhen nga politikanë dhe natyra e tyre nuk i lejon të jenë serioze. Detyra e partive të vërteta është të dëgjojnë dhe të japin propozime për ndreqjen e këtyre shqetësimeve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.