Shatërvan muzikor shumëngjyrësh në mes të liqenit të Pogradecit! Bashkia hap tenderin
Bashkia e Pogradecit ka shpallur tenderin për ndërtimin e një shatërvani në liqen. Fondi limit është 7 milionë e 939 mijë lekë. Afati për dorëzimin e ofertave është data 4 maj 2022.
“Investimi i kërkuar përveçse do të bëjë të mundur realizimin e objektit me gjithë elementët e tij , do të bëjë të mundur zbukurimin e qytetit dhe do të tërheqë shumë vizitorë të vendit dhe të huaj. Me fjalë të tjera do të jetë një atraksion turistik që i shtohet qytetit të POGRADECIT” shkruhet në dokumentet e tenderit, raporton SCAN.
Shatërvani parashikohet të jetë i ndriçuar si dhe të kontrollohet përmes një pulsi digjital që mundëson jo vetëm ndryshimin e figurave të tij por edhe lëvizjen e formave të tij duke ndjekur notat muzikore; një model ky i aplikuar në shumë vende të botës ku shatërvanët ofrojnë spektakël muzikor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.