SHBA-BE drejt dialogut – Brenda dy javëve do të nisin bisedimet për tregtinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të rinisin dialogun për çështjet tregtare brenda dy javëve të ardhshme, deklaroi një zyrtar i lartë i qeverisë franceze, duke sinjalizuar kështu hapa modeste drejt shuarjes së zjarreve mes dy vendeve. Gjatë punimeve të samitit të G7-ës, përplasja mes Washingtonit dhe Brukselit u kthye në çështjen kryesore.
Bashkimi Europian, si partneri strategjik tregtar i Shteteve të Bashkuara është mjaft i acaruar ndaj presidentit Trump, si pasojë e vendimit të këtij të fundit për të vendosur tarifa tregtare mbi importet e çelikut dhe aluminit. Përpara se Bashkimi Europian të vendosë që të përgjigjet me të njëjtën monedhë duke vendosur tarifa për produktet që Amerika shet në Europë, kërkon që të ulen njëherë në bisedime.
“Principi i dialogut u dakordësua, dhe të gjithë e pranuan, përfshirë presidentin Trump”- deklaroi zyrtari francez. Edhe ky i fundit ndërkohë, është shprehur optimist në lidhje me këtë, duke deklaruar pas takimit me Emmanuel Macron se, diçka pozitive do të ndodhë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.