SHBA dhe Kina bien dakord të bashkëpunojnë me emergjencë për të ndalur ndryshimet klimaterike
Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy ndotësit më të mëdhenj të karbonit në botë, ranë dakord të bashkëpunojnë për të frenuar ndryshimet klimatike me urgjencë, vetëm disa ditë para se Presidenti Joe Biden të organizojë një samit virtual të liderëve botërorë për të diskutuar çështjen.
Marrëveshja u arrit nga i dërguari special i SHBA për klimën John Kerry dhe homologu i tij kinez Xie Zhenhua gjatë dy ditëve të bisedimeve në Shanghai javën e kaluar, sipas një deklarate të përbashkët.
Të dy vendet “janë të angazhuara për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me vendet e tjera për të trajtuar krizën e klimës, e cila duhet të adresohet me seriozitetin dhe urgjencën që ajo kërkon”, tha deklarata.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë ndotësit kryesorë në botë të karbonit, duke pompuar gati gjysmën e tymrave të karburanteve fosile që po ngrohin atmosferën e planetit. Bashkëpunimi i tyre është çelësi i suksesit të përpjekjeve globale për të frenuar ndryshimin e klimës, por lidhjet e dobëta për të drejtat e njeriut, tregtinë dhe pretendimet territoriale të Kinës ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore kanë kërcënuar të minojnë përpjekje të tilla.
Udhëtimi i Kerry në Shangai shënoi udhëtimin e nivelit më të lartë në Kinë nga një zyrtar amerikan që kur Biden mori detyrën në janar. Nga Shangai, ish sekretari i shtetit fluturoi në Korenë e Jugut për bisedime.
D.B –SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.