SHBA mbështet “hard Brexit” – Bolton: Washingtoni do i ofrojë marrëveshje tregtare Britanisë
Shtetet e Bashkuara mbështesin Brexit pa marrëveshje, nëse kjo është ajo që kërkon qeveria britanike, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton, i cili ndodhet në një vizitë në Londër për të fuqizuar lidhjet mes vendeve. Bolton i tha Kryeministrit Boris Johnson se presidenti Donald Trump kërkon të shohë një Brexit të suksesshëm në datën 31 Tetor dhe se Washingtoni është i gatshëm që të arrijë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar.
Johnson kërkon që Bashkimi Europian të rinegociojë kushtet e marrëveshjes për Brexit përpara datës 31 Tetor, por Brukseli ka bërë të ditur se nuk do të ndryshojë pjesën e marrëveshjes që kërkon Johnson. Ky ngërç do të bëjë që Britania të dalë pa një periudhë të tranzicionit, që mbulon tregtinë dhe politikat kufitare. “Nëse ky është vendimi i Qeverisë britanike ne do ta mbështesim”, tha Bolton pas ditës së parë të takimeve.
Ndërkohë që Britania përgatitet të dalë nga Bashkimi Europian, shumë diplomat presin që Londra të bëhet më e varur ndaj Shteteve të Bashkuara. Bolton po kërkon një përmirësim të marrëdhënieve mes vendeve, pas kritikave të Trump ndaj Theresa May.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.