SHBA, më ftohtë se Antarktida – Temperatura në -56 celsius. Të paktën 7 të vdekur
Një rrymë e ftohtë e ajrit nga Poli i Veriut ka sjellë temperatura të rrezikshme në Shtetet e Bashkuara. Temperaturat e ftohta që pllakosën Veriun e Shteteve të Bashkuara, lanë të paktën 7 persona të vdekur ditën e Enjte dhe autoritetet i bënë thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi.
Ngricat kanë sjellë gjithashtu anulimin e 1,359 fluturimeve, ndërprerjen e udhëtimeve dhe mbyllur shkollat e bizneset. Personat që dalin nga shtëpitë e tyre u udhëzuan nga Shërbimi Kombëtar i Motit që të mbulojnë fytyrën e të mos marrin frymë thellë për të mbrojtur mushkëritë nga ajri i ftohtë.
Ngricat u shkaktuan nga një vorbull polare, një rrymë e ajrit të ftohtë që sillet zakonisht rrotull Polit të Veriut, por që është zhvendosur në SHBA. Sipas sinoptikanëve, pjesë të Dakota, Wisconsin dhe Minnesota, regjistruan temperatura në minus 56.7 gradë celsius.
Në Chicago, temperaturat gjatë mëngjesit arritën në minus 30 gradë celsius, që ishte më ftohtë se Alaska dhe pjesë të Antarktidës. Nëse do të shkonin poshtë -33 gradë celsius, do të ishte temperatura më e ftohtë e regjistruar ndonjëherë që prej Janarit 1985.
Ditën e Mërkurë gjatë mbrëmjes, i ftohti përfshiu edhe Gjirin Lindor të SHBA, duke shkaktuar rënie të temperaturave. Në New York, 21 automjete, përfshirë makinat e policisë, u përfshinë në një aksident të madh.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.