SHBA me perspektivë pozitive – Politikat monetare janë aty ku duhen. Fed nuk ndryshon interesat
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara, mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar dhe bëri të ditur se pritet një rritje mesatare ekonomike dhe papunësi e ulët përgjatë vitit të ardhshëm. Kryetari i bordit të guvernatorëve, Jerome Powell, tha pas takimit të politikave monetare se politikat monetare ndodhen në vendin e duhur dhe mbështesin ekonominë amerikane.
“Perspektiva jonë ekonomike është e favorshme, pavarësisht zhvillimeve botërore dhe rreziqeve në horizont. Nëpërmjet vendimeve që kemi ndërmarrë gjatë vitit, ne mendojmë se politikat monetare janë të pozicionuara mirë për t’i shërbyer popullit amerikan dhe të mbështesin rritjen ekonomike, tregun e fortë të punës dhe objektivin e inflacionit”, është shprehur Jerome Powell, Kryetari i Rezervës Federale.
Komisioni Federal i Tregut të Hapur vendosi të mbajë normën bazë të interesit në segmentin aktual prej 1.5-1.7%. Një shumicë e politikëbërësve të Rezervës Federale projekton se nuk do të ketë më ndryshim të interesave deri në vitin 2021. Asnjë nga politikëbërësit nuk pret ndonjë ulje të mëtejshme të interesave në vitin e ardhshëm, duke treguar se Rezerva Federale ka ofruar stimujt që nevojiteshin për të larguar rreziqet e recesionit, dhe nga lufta tregtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.