SHBA nis sulme kibernetike – Irani: Ata u përpoqën, por dështuan!
Irani deklaroi në nisje të javës se sulmet kibernetike të SHBA kanë qenë një dështim dhe shtoi se do të jetë i gatshëm të diskutojë me Washingtonin, nëse hiqen sanksionet dhe ofrohen incentiva.
Armiqtë e vjetër kanë qenë shumë pranë përballjes direkte ushtarake. Pasi Irani qëlloi dronin amerikan javën e kaluar, Presidenti Donald Trump tha se ka anuluar sulmin ndaj ushtrisë së Iranit, duke argumentuar se shumë njerëz të pafajshëm do të vdisnin.
Mediat amerikane raportuan se Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme kibernetike, pavarësisht se Trump anuloi sulmin ajror. Washington Post raportoi se sulmet kibernetike kanë fikur sistemet iraniane të nisjes së raketave. “Ata përpiqen fortë por nuk kanë ndërmarrë sulm të suksesshëm. Vitin e kaluar ne kemi neutralizuar 33 milionë sulme”, tha Mohammad Javad Azari Jahromi, ministri i Iranit për Informacionin dhe Teknologjinë e Komunikacionit. Aleatët e SHBA kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve, duke thënë se një gabim i vogël mund të shkaktojë luftë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.