SHBA, raporti i valutave – Thesari heq etiketën ndaj Kinës si “manipulues i valutës”
Departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara ka hequr etiketën ndaj Kinës si një manipulues i valutës, pak ditë përpara se dy ekonomitë më të mëdha në botë të nënshkruajnë marrëveshjen tregtare të fazës së parë. Vendimi erdhi pas një raporti gjysmë vjeçar i valutave dhe përmbysi vendimin e Thesarit në Gusht 2019, që ishte dhe kulmi i luftës tregtare mes dy vendeve. Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, kishte akuzuar kinën se zhvlerësonte juanin për të krijuar një avantazh të padrejtë tregtar.
Hera e fundit që Departamenti i Thesarit akuzoi Kinën si një manipulues valute ishte në vitin 1994. Në kohët e fundit, Pekini kishte përmbushur vetëm një nga 3 kushtet e departamentit që duhen për të vënë një etiketim të tillë, që ishte sufiçiti i madh tregtar me SHBA. Në raportin e fundit mbi valutat, Departamenti i Thesarit bëri të ditur se nën marrëveshjen e fundit tregtare, Kina është përmbajtur nga zhvlerësimi konkurrues i juanit.
Zv/Kryeministri kinez, Liu He, ka mbërritur në Washington në nisje të Javës, për të nënshkruar marrëveshjen tregtare gjatë një ceremonie në Shtëpinë e bardhë. Përfaqësuesi i Tregtisë në SHBA, Robert Lihgthizer, tha se përkthimi i marrëveshjes është thuajse i përfunduar dhe teksti do të bëhet publik ditën e Mërkurë, përpara ceremonisë së nënshkrimit. Raporti theksoi se juani kinez është zhvlerësuar deri në 7.18 për dollar gjatë Shtatorit, por është rimëkëmbur më vonë dhe tregtohet aktualisht në 6.93. Departamenti i Thesarit theksoi gjithashtu praktika shqetësuese të valutës në 8 vende të tjera si Gjermania, Irlanda, Italia, Japonia, Malajzia, Singapori, Korea e Jugut dhe Vietnami.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.