SHBA riafirmon bashkëpunimin me OBSH-në / Paguhen 200 milion dollarë nga ‘borxhet e Trump’
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë më shumë se 200 milion dollarë që i detyrohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri në fund të muajit, një veprim që riafirmon angazhimin e administratës së re për shëndetin global.
“Ky është një hap kryesor përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si një anëtar i OBSH dhe pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar që OBSH të ketë mbështetjen e nevojshme për të çuar përgjigjen globale ndaj pandemisë edhe kur punojmë për ta reformuar atë për të ardhmen, ”Blinken i tha Këshillit të Sigurimit të KB gjatë një videokonference.
“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë në të gjithë globin për të zgjeruar kapacitetin prodhues dhe shpërndarës dhe për të rritur aksesin, duke përfshirë popullatat e margjinalizuara”, tha Blinken, në fjalimin e tij të parë që kur u bë diplomati i lartë i vendit.
Blinken gjithashtu u bëri thirrje homologëve të tij për të luftuar dezinformimin mbi vaksinat dhe për të ndarë çdo informacion të rëndësishëm për origjinën e koronavirusit për hetuesit.
Në një nga veprimet e tij të para si president, Biden shfuqizoi vendimin e ish-Presidentit Donald Trump për të tërhequr SHBA-në nga organizata shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila është e vendosur në Gjenevë.
Në prill, Trump tha se ai pezulloi fondet e SHBA-së për organizatën në pritje të një rishikimi, duke cituar atë që ai e quajti “roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keq administrimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”.
Një muaj më vonë, ai njoftoi synimet e tij për të hequr SHBA nga organizata mes pandemisë së koronavirusit, duke përmendur atë që ai e quajti keqpërdorimin e fondeve të OBSH-së dhe marrëdhënien e saj komode me Kinën.
“Kina ka kontroll të plotë mbi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pavarësisht se ka paguar vetëm 40 milion dollarë në vit krahasuar me atë që Shtetet e Bashkuara kanë paguar, e cila është afërsisht 450 milion dollarë në vit,” tha Trump.
Në korrik, administrata Trump i paraqiti sekretarit të përgjithshëm të KB-së njoftimin e saj për tërheqjen e SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë deri më 6 korrik 2021.
Në tetor, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shpresonte që Shtetet e Bashkuara të rishikonin vendimin e tyre për t’u larguar nga OBSH, duke shtuar se virusi koronavirus nuk mund të mposhtet “në një botë të ndarë”.
“Problemi nuk ka të bëjë me paratë. Nuk është çështja e financimit. Në të vërtetë është marrëdhënia me SHBA që është më e rëndësishme dhe lidershipi i saj jashtë vendit, “tha Ghebreyesus për një audiencë virtuale në Forumin e Sigurisë së Aspen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.