SHBA rrit tarifat ndaj Kinës – 4 muaj bisedime shkojnë dëm. Pritet kundërpërgjigje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, rriti tarifat ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë në 25% këtë të Premte dhe Pekini zyrtar deklaroi se do të kundërpërgjigjet. Kjo ka shtuar përsëri tensionet, ndërkohë që të dy palët ndodhen në fazën e fundit të bisedimeve për një marrëveshje tregtare.
Ministria e Tregtisë në Kinë deklaroi se është penduar për vendimin e Shteteve të Bashkuara dhe shtoi se do të kundërpërgjigjet. Rritja e tarifave vjen në mes të bisedimeve 2-ditore mes negociatorëve kinezë dhe amerikanë, që po përpiqen të shpëtojnë marrëveshjen tregtare. Kjo e fundit do të përfundojë luftën tregtare 10-mujore mes 2 ekonomive më të mëdha në botë.
Zv/Kryeministri kinez, Liu He, përfaqësuesi tregtar në SHBA, Robert Lighthizer dhe sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, kanë zhvilluar bisedime ditën e Enjte dhe pritet t’i rinisin të Premten. Pa asnjë veprim nga administrata e Trump për të kthyer mbrapsht rritjen e tarifave, Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve, vendosi taksën e re doganore prej 25% ndaj dërgesave që dalin nga Kina për në SHBA.
Mallrat në më shumë se 5,700 kategori produktesh që kanë dalë nga portet dhe aeroportet kineze përpara mesnatës, do të jenë subjekt i tarifës fillestare prej 10%. Trump lajmëroi importuesit amerikanë 5 ditë më parë për vendimin e rritjes së tarifës në 25% ndaj 200 miliardë dollarë mallrave, normë e barabartë me barrierat ndaj 50 miliardë dollarë mallra të teknologjisë nga Kina.
Sektori i importeve kinezë që do të pësojë ndikimin më të madh nga rritja e tarifave është kategoria prej mbi 20 miliardë dollarë të modemeve të internetit, routerave dhe pajisjeve të tjera të transmetimit të të dhënave. Mobiljet, produktet e ndriçimit, pjesët e makinave, fshesat me korent dhe materialet e ndërtimit, zënë gjithashtu një pjesë të madhe në listën e produkteve që janë subjekt i tarifave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.