SHBA, rriten kostot e huamarrjes – Yieldi 10-vjeçar rritet sipër 3%, niveli më i lartë në 4 vite
Yieldi i titujve10-vjeçar të borxhit në Shtetet e Bashkuara u rrit në 3% për të parën herë në më shumë se 4 vite, duke reflektuar kohëzgjatjen e rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Yieldi 10-vjeçar merret për bazë për normat e interesit në çdo produkt nga kreditë për shtëpi e deri te titujt e korporatave. Thyerja e këtij niveli u interpretua gjithashtu si një goditje për aktivet me risk, që kanë lulëzuar pas krizës financiare, ndërkohë që normat e interesit kanë qenë në nivele rekord të ulëta.
Shitjet e mëdha në tregun e borxhit që nisën gjatë javës së kaluar, kanë ardhur prej shqetësimeve mbi inflacionin dhe rritjes së ofertës së titujve të thesarit. Investitorët presin gjithashtu një tkurrje më të shpejtë monetare nga Rezerva Federale. Të dhënat e kësaj jave mbi besimin e konsumatorëve dhe shitjet e shtëpive, nxitën pritshmëritë se ekonomia do të vazhdojë të fuqizohet në tremujorët e ardhshëm. Sipas analistëve, rritja e yieldit të obligacioneve, ku bazohen interesat e kredive për shtëpi dhe produkteve të tjera, do të rrisë kostot e huamarrjes për konsumatorët dhe bizneset, gjë që pritet të minimizojë përfitimet e reduktimeve tatimore të ndërmarra vitin e kaluar.
Bankat dhe kompani të tjera kanë pasur gjithashtu një rritje të kostove të huamarrjes në afat-shkurtër, prej tkurrjes monetare nga Rezerva Federale. Rritja e yield-it 10-vjeçar sipër 3%-shit solli gjithashtu përmbysjen e tregjeve të kapitalit këtë javë, me të 3 indekset kryesorë në SHBA që u mbyllën në rënie. Ky nivel është prekur për herë të fundit në Janar të vitit 2014. Departamenti i Thesarit ka shitur 32 miliardë dollarë në letra me vlerë 2-vjeçare me një yield prej 2.498%, që është më i larti që prej Korrikut 2008. Institucioni do të ofrojë më vonë gjatë javës 35 miliardë dollarë letra me vlerë 5-vjeçare dhe 29 miliardë dollarë borxh 7-vjeçar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.