SHBA sanksione të reja për Rusinë – Hetimi zbulon përdorimin e “Novichok” ndaj ish-spiunit në Britani
Administrata e Trump do të ndëshkojë Rusinë me sanksione të reja për helmimin e ish-spiunit që jetonte në Britani, deklaroi Departamenti i Shtetit. Valuta e Rusisë, që ka patur performancë negative kundër dollarit që prej muajit Prill, ra më tej pas lajmërimit të sanksioneve.
Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit bënë të ditur se Rusia, së bashku me aleatët e SHBA, janë informuar për sanksionet e reja ditën e Mërkurë. Në një deklaratë, zëdhënësja Heather Nauert tha se sanksionet do të bëhen efektive më datë 22 Gusht.
“Pas përdorimit të agjentit nervor ‘Novichok’ në përpjekje për të vrarë qytetarin britanik Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia Skripal, Shtetet e Bashkuara përcaktuan më datë 6 Gusht se Qeveria ruse ka përdorur armë kimike, duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Sanksionet do të bëhen efektive pas publikimit të një njoftimi në Regjistrin Federal, që pritet rreth datës 22 Gusht”, deklaroi Departamenti i Shtetit.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, raportohet se ka pranuar përfundimin që Rusia ka shkelur ligjet ndërkombëtare në përdorimin e armëve kimike.
Skripal, një ish spiun rus që u bë agjent i dyfisht për Mbretërinë e Bashkuar, u shtrua në gjendje kritike pas helmimit në Britani më datë 4 Mars, së bashku me vajzën e tij Yulia, që u nis nga Moska për ta vizituar.
Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë 3 muaj më vonë, nëse vendi nuk vërteton se ka respektuar disa kritere.
Këtu përfshihet mospërdorimi i armëve kimike apo biologjike që bien ndesh me ligjet ndërkombëtare, të lejojnë hetime në terren nga Kombet e Bashkuara si dhe të ofrojnë siguri të besueshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.